TIRANA- Kreu i Grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi do të paraqitet ditën e sotme në SPAK, ku është thirrur në lidhje me denoncimin që ka bërë në Prokurorinë e Posaçme lidhur me disa mesazhe që i kanë mbërritur në aplikacionin Signal nga një numër i paidentifikuar, me emër përdoruesi “Mbreti Zog”.
Para gazetarëve pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Bardhi tha se ky është një akt intimidues ndaj tij me dokumente të sajuara dhe që nuk ekzistojnë. Ai ka shprehur gatishmërinë për t’i vendosur në dispozicion SPAK telefonin e tij.
“Siç e dini të hënën kam bërë publike një akt intimidues ndaj meje me dokumente të sajuara dhe që nuk ekzistojnë. SPAK është vënë në lëvizje që atë ditë, kam shprehur gatishmërinë për t’i vendosur në dispozicion telefonin tim, do të paraqitem për këtë veprim hetimor të nevojshëm”, tha Bardhi.