Nga të dhënat e Cens 2023 për banorët e Republikës së Shqipërisë, rezultoi se qytetet e mëdha të Veriut të vendit, Shkodra dhe Kukësi kishin rritjen më të madhe të vdekjeve për mijë banorë.
Sipas INSTAT në të gjithë vendin, më 2023 kanë humbur jetën 21,286 përsosna ose 9 vdekje për mijë banorë, referuar të dhënave të popullsisë 2,4 mln banorë nga cens.
Në vitin 2023, rezulton se vdekjet më të larta për mijë banorë i kishte Gjirokastra dhe Korça përkatësisht me 12.2 dhe 11.9, por rritjen më të madhe të vdekshmërisë gjatë periudhës 2011 dhe 2023 e kishin Kukësi, Shkodra dhe Elbasani. Në vitin 2023, Kukësi kishte 8.4 vdekje për një mijë banorë me të dhënat e cens 2023, me një rritje të treguesit me 3 pikë për qind që nga viti 2011. Në Shkodër humbën jetën 1726 persona më 2023 ose 11.5 persona për 1 mijë banorë me rritje 2.5 pikë për qind në krahasim me vitin 2011. Pas Shkodrës, rritjen më të madhe të mortalitetit e kishte Elbasani. Në vitin 2023 në Elbasan kishte gjithsej 2050 jetë të humbura teksa popullsia e qarkut me të dhënat e cens 2023 ishte 232,580 banorë. Në Elbasan kishte 8.8 vdekje për një mijë banorë me rritje 2.3 pikë për qind në raport me vitin 2011.

Në qarkun e Beratit vdekjet për mijë banorë kanë pësuar ulje me -0.3% në periudhën ndërmjet dy censeve. Në vitin 2023, në Qarkun e Tiranës kanë humbur jetën 5345 persona. Me të dhënat e popullsisë së cens vdekjet për 1000 banorë në kryeqytet ishin 7, me rritje 0.6 pikë për qind nga censi 2011.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se qarqet e Shkodrës dhe Kukësit kishin rënien më të madhe të popullsisë në përqindje ndërmjet dy censeve 2011 dhe 2023, teksa kanë gjithashtu edhe rritjen më të madhe të mortalitetit në dekadën e fundit.