Dino Ibrahimoviç është i vetmi i arrestuar për vrasjen e shqiptarit Edmond Mustafa, ndaj edhe është vendosur menjëherë në pranga pas krimit. Por arsye ende nuk dihet. Mund të jetë fakti që Mustafa prej vitesh ka thënë se e di se cili nga anëtarët e klanit të tij është përgjegjës për 11 vrasje, e ishte gati për të dëshmuar para Policisë për të marrë edhe statusin “pendito”, ndaj duket se anëtarët e grupit të tij kanë vendosur që të veprojnë para tij.
“Dyshohet se anëtarët e klanit kriminal Skaljar kanë vrarë dje Edmond Mustafën për ta penguar të flasë para hetuesve për veprimet e tyre të përbashkëta kriminale, në të cilat dyshohet se ka marrë pjesë edhe shqiptari,”- shkruan Vijesti.
Dëshmitarët okularë nga lokalet në rrugën ‘Maršala Tita’ thanë se dëgjuan disa të shtëna. Ndër të parat që ka vrapuar ka qenë motra e Mustafës, vendi i punës i së cilës është vetëm pak metra larg vendit ku i është vrarë vëllai i saj. Kështu i riu vdiq në duart e një bashkëpunëtor të klanit “Skaljar”, Dino Ibrahimoviç. Teksa shqiptari ishte duke ecur, vrasësi iu afrua nga pas dhe qëlloi disa herë në drejtim të tij nga një automatik. 29-vjeçari ra i vdekur në vend, ndërsa vrasësi është arratisur me një skuter elektrik. Por u identifikua dhe u arrestua më pak se një orë më vonë.
Për gati një dekadë, 29-vjeçari konsiderohej si pjesëtar i klanit të Tivarit në krye me Alan Kozharin (gjithashtu i vrarë), grup që gjatë luftës së klaneve malazeze “u shkri” dhe u krijua “Skaljar”. Pas vrasjes së Kozharit, në verën e vitit 2020, burime të brendshme brenda grupit bënë me dije se Mustafa “ndërroi fanellën”. Këtë fakt e mbështesin transkriptet e mesazheve dhe fotot e shumta të shkëmbyera në “SkyECC”.
Policët, tashmë të arrestuar, Petar Lazoviç, Ljubo Miloviç dhe Ivan Stamatoviç raportonin tek lideri i klanit “Kavaç”, Radoj Zvicer se Mustafa do ta akuzonte liderin absolut të atëhershëm të Skaljarëve, Jovan Vukotiçin për më shumë vrasje. Edhe vetë Mustafa prej vitesh në rrjetet sociale kishte bërë të ditur se kishte dijeni për porositë dhe ekzekutimet e 11 vrasjeve, tek të cilat kishte bërë pjesë edhe vetë…
LISTA E DISA PREJ NGJARJEVE KRIMINALE:
– vrasja e Srgjan Vllahoviçit, e kryer më 10 prill 2016 në Kotorr;
– vrasja e Tomasheviç Bozhidar, e kryer më 6 gusht 2016 në Tivar;
– vrasja e Vukoslavceviç Zheljko, e kryer më 8 shtator 2016 në Tivar;
– vrasja e Ivan Laban, e kryer më 31 tetor 2016 në Tivar;
– vrasja e Sllobodan Sharanoviçit, e kryer më 11 mars 2017 në Budva;
– Vrasja e Marko Jovanoviçit, i cili, sipas Mustafës, u vra pasi kishte kryer një vrasje të dyfishtë në Podgoricë, dhe më pas trupi i tij ishte hedhur fshehurazi në një nga gropat në zonën e komunës së Tivarit;
– vrasja e Jovan Klisiçit, e kryer më 1 nëntor 2019. në Tivar;
– Zhdukja e Filip Marjanoviçit dhe Vukashin Gošoviçit, shtetas të Republikës së Serbisë, të cilët, sipas Mustafa, u rrëmbyen, u torturuan, u morën në pyetje dhe përfundimisht u vranë në komunën e Danilovgradit;
– Zhdukja dhe vrasja e Sjeklloq Markos, të cilit sipas Mustafës i është marrë jeta, pas së cilës trupi i tij është fshehur në një vend të panjohur për të në zonën e komunës së Tivarit”, thuhet në procesverbali i bërë gjatë intervistës së anëtarëve.
Prokurorja e Prokurorisë së Lartë të Shtetit në Podgoricë, Irena Buriç ka marrë mbrëmë në pyetje të arrestuarin pas ngjarjes, e po dje u tha gazetarëve se dyshonte që ai ishte autori i vrasjes.