Kriza klimatike mund të shkaktojë 14.5 milionë vdekje deri në vitin 2050. Ky është parashikimi i bërë nga Forumi Ekonomik Botëror, sipas të cilit fatkeqësitë natyrore, të përkeqësuara nga klima, mund të çojnë edhe në humbje ekonomike prej 12.5 trilionë dollarësh. Raportohen gjithashtu kosto shtesë për sistemin e kujdesit shëndetësor mbi 1 miliard dollarë. Raporti shton se kriza klimatike do të përkeqësojë pabarazitë globale shëndetësore, duke i lënë më të cenuarit në rrezik më të madh.
Raporti i WEF synon të përcaktojë sasinë e pasojave të ndryshimeve klimatike në shëndet, si në aspektin e vdekshmërisë ashtu edhe në kostot e kujdesit shëndetësor. U analizuan gjashtë kategori kryesore të ngjarjeve klimatike: përmbytjet, thatësirat, valët e të nxehtit, stuhitë tropikale, zjarret dhe ngritja e nivelit të detit.
Përmbytjet përfaqësojnë rrezikun më të lartë për vdekshmërinë: sipas studimit vetëm ato do të shkaktonin 8.5 milionë vdekje deri në vitin 2050. Thatësira, e lidhur indirekt me nxehtësinë ekstreme, është shkaku i dytë i vdekshmërisë (parashikimi është 3.2 milionë). Megjithatë, janë valët e të nxehtit, ato që përfaqësojnë koston më të madhe në aspektin ekonomik: 7.1 trilionë të humbur për shkak të humbjes së produktivitetit.
“Edhe me një rritje të temperaturës së Tokës prej vetëm 1.1 gradë Celsius, këto ngjarje ekstreme po shkaktojnë humbje të konsiderueshme ekonomike, shkatërrim të infrastrukturës dhe sëmundje”,shpjegon raporti.
Ndryshimet klimatike do të shkaktojnë gjithashtu një rritje katastrofike të sëmundjeve të ndjeshme ndaj klimës, të tilla si ato të transmetuara nga mushkonjat për shembull. Temperaturat më të ngrohta do të rrisin periudhën riprodhuese dhe zonën e banuar nga kolonitë e insekteve, duke çuar në zgjerimin e sëmundjeve të tilla si malaria, dengoja dhe Zika, edhe në zonat klimatike të butë dhe më pak të prekura si Evropa dhe Shtetet e Bashkuara. Deri në vitin 2050, shpjegon raporti, 500 milionë njerëz të tjerë mund të jenë në rrezik të infektimit.
Ndryshimet klimatike do të përkeqësojnë gjithashtu pabarazinë shëndetësore. Popullatat më vulnerabël, gratë, të rinjtë, të moshuarit dhe njerëzit me të ardhura të ulëta, grupet dhe komunitetet e vështira për t’u arritur, do të jenë më të prekurit nga pasojat e ngjarjeve ekstreme. Afrika dhe Azia Jugore do të jenë më të cenueshmet sepse nuk do të jenë në gjendje të përshtatin shërbimet e tyre mjekësore tashmë të dobëta.