Një ngjarje alarmante ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në spitalin Sant’Andrea në Romë, ku një pacient 43-vjeçar ka tentuar të vrasë shokun e tij të dhomës, një burrë 84-vjeçar. Incidenti ka ndodhur në repartin e Gastroenterologjisë, ku 43-vjeçari, i cili është me origjinë indiane, dyshohet se ka humbur kontrollet e tij për shkaqe ende të paqartë.
Sipas mediave italiane, burri më pas ka nisur ta godasë me dhunë pacientin e moshuar dhe ka tentuar ta mbysë ndërsa ai ishte i shtrirë në shtrat. Situata shpëtoi falë ndërhyrjes së shpejtë të stafit mjekësor, i cili u alarmua nga zhurmat dhe arriti të ndalojë aktin e dhunës përpara se të shkaktoheshin pasojat më të rënda.
Pas mbërritjes së karabinierëve, 43-vjeçari ka treguar agresivitet edhe ndaj forcave të rendit, duke i shtyrë dhe plagosur disa prej tyre gjatë përpjekjes për t’i rezistuar arrestimit. Ai u arrestua dhe tani ndodhet në burgun Regina Coeli në Romë, ku përballet me akuza për tentativë vrasjeje dhe rezistencë ndaj forcave të rendit.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit dhe motivet që kanë çuar në këtë akt të rëndë. Situata ka alarmuar opinionin publik, duke theksuar nevojën për një vëmendje të shtuar ndaj sigurisë në ambiente spitalore.















