Hetimi ndaj Jacques dhe Jessica Moretti, pronarët e barit Le Constellation në Crans-Montana, Zvicër, ka zbuluar një jetë luksoze që çifti jetonte, pas tragjedisë së Vitit të Ri, ku mbetën të vrarë 41 persona. Autoritetet kanë sekuestruar pasuri të konsiderueshme, përfshirë makina luksoze dhe ora të shtrenjta.
Sipas raportimeve, janë bllokuar disa automjete, mes të cilave dallohen një ‘Porsche Cayenne’ me një vlerë që varion nga 80 mijë deri në 150 mijë franga zvicerane dhe një ‘Mercedes-Benz’ që mund të kushtojë deri në 50 mijë franga. Po ashtu, në dokumentet e hetimit përmendet edhe një Maserati.
Përveç automjeteve, janë sekuestruar pesë ora luksoze, me një vlerë që shkon nga 12,300 deri në 35 mijë franga për secilën. Në mesin e tyre ndodhen edhe tre ora Rolex, të cilat janë vlerësuar në mijëra franga. Pasuritë totale të sekuestruara nga çifti Moretti vlerësohen mbi gjysmë milioni franga zvicerane.
Gjatë hetimit, autoritetet kanë kapur gjithashtu një pistoletë gjysmëautomatike me 14 fishekë, megjithatë Jacques Moretti ka theksuar se kishte leje të vlefshme për armëmbajtje. Hetimi vazhdon, duke u fokusuar në burimet e pasurisë së çiftit dhe lidhjet e mundshme me ngjarjen tragjike që ndodhi në barin e tyre.















