Një 26-vjeçar është arrestuar në Sarandë pasi është akuzuar për mashtrimin e mbi 35 bizneseve dhe subjekteve tregtare, duke u prezantuar si punonjës i institucioneve si IKMT, AKU dhe Tatim-Taksave. Sipas Policisë, ai arrinte të përfitonte shuma nga 200 deri në 600 euro për çdo rast të mashtrimit. Arrestimi i tij ndodhi teksa po merrte 56,000 lekë të reja nga një shtetas.
Hetimet e zhvilluara kanë zbuluar se aktiviteti kriminal i këtij të riu shtrihej në disa qytete, përfshirë Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Himarë, Orikum, Fier dhe Berat. Policia ka njoftuar se është duke vazhduar dokumentimin ligjor të të gjitha rasteve të tjera të mashtrimeve që lidheshin me të.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër ka falënderuar qytetarët dhe institucionet për bashkëpunimin e treguar, duke inkurajuar çdo individ që të denoncimin e rasteve të paligjshmërisë, me premtimin për një reagim të shpejtë dhe në përputhje me ligjin. Materialet procedurale janë referuar tashmë Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.















