TIRANË– Zgjedhjet janë dita kur partitë politike matin forcat! Por lufta nuk bëhet vetëm në terren, të paktën jo në këto kohë që po jetojmë. Rrjetet sociale, Facebook, Instagram, TikTok janë kudo dhe në dorën e çdo votuesi potencial. Numrat ndonjëherë nuk thonë shumë, por tregojnë një trend që nuk duhet injoruar, të paktën jo nga analistët dhe sondazhistët pranë partive kryesore politike.
E nëse këto zgjedhje kanë një fitues të social mediave, ai është Sali Berisha. Edhe pse i bllokuar dhe i përdorur “ilegalisht” nga shqiptarët, në TikTok ka kohë që Berisha është trend. Herë me në sfond këngën e Stresit; herë me vajzat që besojnë se djemtë demokratë janë besnikë pasi edhe pas 12 vitesh në opozitë nuk e tradhëtojnë idealin e tyre; herë me batutat e tij. Edhe si një 80-vjeçar, Berisha nuk zhgënjen! Këtë e thonë edhe shifrat! Për një pamje të brendshme sesi funksionojnë shifrat dhe kush ka prioritet, DOSJA ka marrë për bazë të dhënat e paraqitura nga ekspertët e IT-së, Aldor Nini dhe Tomi Kallanxhi.
I ftuar në emisionin “Review”, eksperti i IT-së, Tomi Kallanxhi tha se kryeministri Edi Rama ka goditur dhe ka kapur majat vetëm me ftesën e tij për qytetarët që t’i futeshin arkivave dhe të kërkonin fotot e tij nudo. Ndërsa kandidatët e rinj, edhe pse kanë tentuar nuk kanë mundur që të bëjnë shumë.
“Duhet thënë që kandidatët në lista të hapura kanë bërë të pamundurën për të rënë në sy, shumë pak ia kanë dalë të bëhen viral edhe pse kanë dalë nga karakteri i tyre pasi kanë bërë video që nuk do ti kishin bërë kurrë gjatë jetës së tyre, dhe biznesmenë. Shumë pak kuptuan se çfarë është social media, duhet të ishin më sportiv. Përveç kryeministrit që me batutën: “Më kërko mua nudo”, ishte një nga goditjet më të mëdha të fushatës sepse nëse shikojmë historikun e kërkimeve, kryeministri ka arritur pikun e kërkimeve për veten e tij ditën kur i tha të rinjve: “Më kërkoni mua nudo në Google”, dhe aty janë bërë kërkime të mëdha të tipit: “Kryeministri nudo”, tha eksperti Kallanxhi.
Aldor Nini zbuloi se janë më aktivë në komente dhe në transmetimet live simpatizantët e PD-së në krahasim me mbështetësit e PS-së. Si shembull për krahasimin mori mbylljen e fushatës ditën e djeshme në Tiranë.
“Ishte pak e vështirë për ta bërë këtë matje pasi ishin disa rrjete sociale: Youtube, Facebook, të miksuara. Për mbylljen e fushatave, me sa numëruam ishin diku tek 30-32 mijë shikues live për Partinë Demokratike në vende të ndryshme. Ndërkohë Rama në një vend kishte mbledhur 3.4, në një vend tjetër 4 mijë, pra më pak në transmetim live. Mendoj që ky është një rezultat që e kemi parë edhe në të kaluarën sepse videot statike që hidhen në Youtube, Instagram, Facebook, PS-ja ka një audiencë goxha të madhe që i shpërndan ato në shumë profile dhe në shumë faqe. Ato shikues që i gjenerojnë në kohë reale, ato që janë tamam simpatizantë të flaktë të PD-së, janë ato që e shikojnë në kohë reale materialin ose ato që reagojnë me interaktivitet më të lartë sesa ato të PS-së,”- tha eksperti Nini.
Nini e konfirmoi se në TikTokun e ndaluar, më i klikuar ka qenë Berisha.
‘Berisha në TikTok është i dytë ka qenë i pëlqyer edhe para fushatës, Edi Rama se ka përdorur TikTokun që kur u mor edhe vendimi për të mbyll. Basha nuk ka llogari në Tik Tok më shumë përdor Instagram dhe Facebook. Ne do të shohim pas zgjedhjeve a do të jetë njësoj pëlqimi në rrjetet sociale, me votat që do të marrin’, tha ai.
Google Trends është një mjet analitik i ofruar nga Google që tregon se sa shpesh është kërkuar një term i caktuar në motorin e kërkimit të Google gjatë një periudhe të caktuar kohore dhe në një zonë të caktuar gjeografike. Ai nuk tregon numrin absolut të kërkimeve, por paraqet të dhënat në një shkallë të caktuar. Edhe në këtë burim, Rama përmendet vetëm për kërkesën e tij të sikletshme, ndërsa për Berishën duket se kureshtja është më e madhe. Të paktën për 30 ditë fushatë, kërkimet e lidhura me Sali Berishën kanë përfshirë kërkesa për moshën e tij, statusin ‘non-grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidentin amerikan Donald Trump. Përveç kuriozitetit personal, tek Berisha ka tërhequr edhe idetë dhe programi i fushatës. Pasaporta europiane, shpikja më e fundit e Ramës nuk ka qenë gjëkundi me pensionet kanë dominuar kërkimet, ndjekur nga arsimi, rrogat dhe shëndetësia. Mesa duket, përveç karizmës dhe gjithçkaje tjetër, kryedemokrati ka prekur shqiptarët me programin e tij, një shenjë kjo zhgënjimi nga partia në pushtet.
Në krahasim me vitin 2021, duket se Berisha ka një rritje me “paraardhësin” e tij në krye të PD-së, Lulzim Bashën. Në të njëjtën ditë kur Rama po bënte një nga mitingjet e tij nëpër Shqipëri, Basha ishte në një nga ekranet më të ndjekura në vend, por në Facebook po e ndiqnin vetëm 880 persona; ndryshe nga Rama që kishte 42.3k ndjekës në kohë reale.
Të gjitha këto shifra flasin vetë. Nëse një fitore Sali Berisha e ka siguruar para se të hapen kutitë e votimit, është ajo e rrjeteve sociale. Ai ka arritur të krijojë një jehonë të madhe në TikTok dhe Facebook, duke u kthyer në një figurë virale, shpeshherë më shumë si ikonë pop-kulturore sesa si politikan tradicional.
Në të kundërt, përpjekjet e kandidatëve të rinj, shpesh të sforcuara dhe larg natyralitetit të tyre, nuk kanë rezultuar efektive. Edi Rama ka qëlluar vetëm me një batutë, e cila mund të ketë prodhuar trafik momental, por nuk përfaqëson një strategji të qëndrueshme komunikimi dixhital.
Berisha, ndërkohë, është shndërruar në një lloj trend, ai nuk është më thjesht një lider politik, por një simbol që përdoret, shpërndahet, memetizohet dhe ripërpunohet nga votuesit, sidomos nga të rinjtë.
A do të përkthehet kjo energji virtuale në votë reale më 11 maj?
Kjo mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt: zgjedhjet nuk fitohen më vetëm në sheshet e qyteteve apo në ekranet e televizioneve. Sot, ato fitohen edhe në algoritmin e TikTok-ut, në komentet e Facebook-ut dhe në kërkimet e Google-it. Kush arrin të zotërojë këto hapësira, ka një avantazh të qartë në betejën për mendjet dhe zemrat e votuesve. Dhe në këtë fushatë, Sali Berisha e ka fituar betejën dixhitale. Tani mbetet të shihet nëse do të fitojë edhe kutitë e votimit./DOSJA