Skandal në Bashkinë e Himarës! Tenderi për “Rikonstruksionin e shkallëve në lagjen Stefanel” mban erë fituesi të paracaktuar, pasi u skualifikuan të gjithë operatorët konkurrues dhe u shpall fitues vetëm bashkimi i operatorëve “VELLEZERIT KUKA” SHPK dhe “NGRACAN 1934” SHPK.
Procedura me fond limit 12.5 milionë lekë, e zhvilluar nga Bashkia Himarë nën drejtimin e Qeverisjes Vendore Himarë, po ngre dyshime të forta për eliminim të qëllimshëm të garës. Në tender morën pjesë plot 7 operatorë ekonomikë, por çuditërisht u skualifikuan të gjithë rivalët, përfshirë edhe ofertat më të ulëta, duke i hapur rrugë vetëm kompanisë së përzgjedhur.
Fitues u shpall bashkimi i operatorëve “VELLEZERIT KUKA” SHPK dhe “NGRACAN 1934” SHPK me ofertë 9.3 milionë lekë pa TVSH, ndërsa operatorë të tjerë u nxorën jashtë loje me justifikime që pritet të verifikohen nga organet e kontrollit.
Tenderi me referencë REF-44297-04-09-2025 kishte si objekt rikonstruksionin e shkallëve në lagjen Stefanel dhe financohej nga buxheti i Bashkisë Himarë. Procedura u zhvillua si “Procedurë e Hapur”, por rezultati final ngjan më shumë me një garë të mbyllur, ku fituesi dukej i vendosur që në fillim.
Në listën e operatorëve pjesëmarrës ishin:
- “RRODHE – CONSTRUCTION” SHPK
- “TEA-D” SHPK
- “ASI INVEST” SHPK
- BOE “VELLEZERIT KUKA” SHPK & “NGRACAN 1934” SHPK
- “SARK” SHPK
- “T&J Construction” SHPK
- “SARDO” SHPK
Skema e njohur e skualifikimit të të gjithë konkurrentëve dhe eliminimit të ofertës më të ulët po kthehet në një model të përsëritur në tenderët publikë, ku gara reale zhduket dhe fondet publike përfundojnë tek operatorët e preferuar.
SPAK duhet të zbarkojë me urgjencë në Bashkinë Himarë për të verifikuar këtë procedurë, pasi dyshimet për manipulim të tenderit dhe favorizim të fituesit janë të forta dhe kërkojnë hetim të menjëhershëm.

