Një tjetër tender publik me vlerë 250 milionë lekë ngre pikëpyetje serioze mbi konkurrencën dhe mënyrën e përdorimit të parave publike.
Bëhet fjalë për procedurën e zhvilluar nga Bashkia Himarë për rehabilitimin e sheshit Kuç Buronja, rikonstruksionin e urës dhe pyllëzimin e sheshit, ku në garë rezulton të ketë marrë pjesë vetëm një operator ekonomik.
Fitues është shpallur kompania “RSM Company” me pronar Agim Kolën që është vëllai i ish- deputetit socialist Ndue Kola me ofertë 23.839.437 lekë pa TVSH, ndërsa fondi limit ishte 250 milionë lekë. Mungesa e plotë e konkurrencës ngre dyshime mbi efektivitetin e procedurës dhe nëse janë garantuar kushtet për një garë reale.
Edhe pse procedura është zhvilluar si procedurë e hapur, fakti që në tender paraqitet vetëm një konkurrent është një sinjal alarmi që kërkon verifikim institucional.
SPAK dhe institucionet përgjegjëse duhet të verifikojnë nëse dokumentet e tenderit janë hartuar në mënyrë që të favorizonin një operator të caktuar, nëse janë respektuar parimet e konkurrencës dhe nëse fondet publike janë administruar në përputhje me ligjin.
Kur miliona lekë të taksapaguesve ndahen në gara me vetëm një ofertues, transparenca nuk duhet të jetë thjesht një formalitet, por një detyrim që duhet të provohet me fakte.

